Rama refuzon të merret me “pengmarrësin” e Kushtetutës në Presidencë – ERTV

Rama refuzon të merret me “pengmarrësin” e Kushtetutës në Presidencë

Këmbimi i ndërsjellë i akuzave mes Presidentit të Republikës dhe Kryeministrit ka vijuar edhe këtë të shtunë, e pas “gurit” të hedhur nga kreu i shtetit në mëngjes, është kundërpërgjigjur edhe kreu i qeverisë.

Edhe sot, platformat sociale të shfrytëzuara prej dy drejtuesve kanë qenë të ndryshme, presidenti në Facebook dhe kryeministri në Twitter.

Por mesazhi i kryeministrit duket se është shterues këtë herë, kur lë të kuptohet se nuk do të merret më me presidentin.

“Mos prisni të merrem më me një pengmarrës të Kushtetutës në zyrën e Presidentit, i cili është katandisur në çizme rezervë e Doktorreshës së Shkencave”, shkruan Rama.

Sipas kryeministrit, ajo që do t’i japë fund kësaj maskarade do të jetë Gjykata Kushtetuese.

“Ndërsa vëmendja jonë do të jetë e gjitha te njerëzit dhe zero te çizmet”, përfundon komentin e tij kryeministri Rama.