Lleshaj për Balilin: Opozitarët përqeshin, partnerët duartrokasin – ERTV

Lleshaj për Balilin: Opozitarët përqeshin, partnerët duartrokasin

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj sqaroi në Twitter të gjithë ata që, sipas tij, janë hutuar nga arrestimi i Balilit.

“Për ata që janë hutuar nga arrestimi i Balilit dhe mundohen të hutojnë të tjerë: Mirëkuptim për mizën nën kësulë, por Balili ka llogari të hapura jo vetëm me drejtësinë shqiptare, po edhe atë të vendeve të tjera. Sa keq, opozitarët përqeshin, partnerët duartrokasin”, shkroi ministri në rrjetin social.

I shumëkërkuari Klement Balili është vetëdorëzuar në Policinë e Shtetit mëngjesin e kësaj të marte.

Lajmi konfirmohet për Top Channel nga njëri prej avokatëve të tij, Baftjar Rusi. Balili ndodhet në Policinë e Shtetit së bashku me avokatin tjetër, Theodhori Sollaku.

Vetëdorëzimi i tij vjen vetëm pak ditë pasi një burim nga Ministria e Drejtësisë njoftoi se Greqia i është përgjigjur në fund të dhjetorit të kaluar, përmes një letërporosie, kërkesës së Prokurorisë së Krimeve të Rënda, që këmbëngulte t’i dorëzoheshin prova shtesë të 46-vjeçarit.

Kjo letërporosi ishte justifikimi kryesor i Prokurorisë, që në vitin 2018 zgjati tri herë afatin hetimor për Balilin, i etiketuar ndryshe si “Eskobari i Ballkanit”, por që për shkak të dështimit të policisë për ta arrestuar u quajt nga ish-ambasadori Donald Lu edhe si “magjistari”.

Prej dy vitesh, Klement Balili vazhdon ta kthejë duarbosh policinë gjatë aksioneve të dështuara për arrestimin e tij. Tashmë, sfida e radhës nuk është për uniformat blu, por për Prokurorinë.