Gazetari Artan Hoxha: Balili ishte fshehur afër shtëpisë së Ilir Metës – ERTV

Gazetari Artan Hoxha: Balili ishte fshehur afër shtëpisë së Ilir Metës

Një ditë më parë në profilin e tij në Facebook, Hoxha ka postuar foto nga takimi me “Eskobarin e Ballkanit”, ku me “përkëdheli” e quan atë Keli.

Por Hoxha thotë gjithashtu se Klement Balili ka pasur edhe një “padron” mbi kokë, i cili përdor shprehjen e famshme “Me qetësi dhe dashuri”. E vetëm një politikan njihet për këtë shprehje, e ai është Presidenti i Republikës, Ilir Meta.

Ndërkohë që sot Gazetari investigativ Artan Hoxha ishte i ftuar në “A2 Sot”, ku ndër të tjera rrëfeu se Klemend Balili ka qëndruar i fshehur në një zonë në Tiranë, ku pranë saj jetojnë edhe shumë ministra e ish-ministra.

“Për aftësitë e tij për t’u fshehur e meriton të quhet ‘Magjistari’, ashtu siç e cilësoi edhe Donald Lu. Do të them një nga zonat ku ka qëndruar në Tiranë dhe duket e pabesueshme. Ai ka qëndruar në një zonë ku jetojnë rreth 10 ministra dhe ish-ministra.

Afër në atë zonë duhet të jetë edhe Presidenti i Republikës. Është një zonë shumë e sigurt, por një njeri që merr një zonë me qira. Ai është një njeri që nuk është ekspozuar edhe shumë në media, ndërsa kishte ndryshuar edhe shumë pamja. Plus kishte edhe faktin që nuk kishte shumë armiq natyral. Nuk kishte grupe rivale që synonin ta godisnin. Intervista ishte një sfidë më vete, por pjesa më e vështirë ishte momenti i dorëzimit, pasi ishte lënë që të bëhej në banesën e tij.

Unë dhe kameramani kishim bërë një plan që të mos merreshim vesh të paktën nga policia. Ishte nga kushtet e vendosura nga policia. Video është bërë me celular nga ambientet e një lokali. Ndërkohë nga krahu tjetër, njerëzit e Balilit nuk kishim rrezikshmëri pasi ai po dorëzohej. Unë nuk jam ekspozuar dhe më është dashur të qëndroj gjatë aty”, tha Hoxha.