Holanda: Progres konkret për hapjen e negociatave këtë vit – ERTV

Holanda: Progres konkret për hapjen e negociatave këtë vit

Ministri i Jashtëm në detyrë, Ditmir Bushati, ka zhvilluar një takim këtë të enjte me homologun holandez, Stef Blok, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Tiranë. Bushati theksoi se partneriteti strategjik midis dy vendeve është një garanci për të pasur një bashkëpunim edhe më të madh dhe të gjithanshëm në aspektin dypalësh, veçanërisht atë ekonomik dhe tregtar.

“Dua që të falënderoj Holandën për të gjitha programet që ka zbatuar dhe zbaton në Shqipëri dhe në Ballkanin Perëndimor, sa i përket reformës në drejtës si dhe programeve të tjera në fushën e zhvillimit të ekonomisë. Ne jemi besimplotë që bashkëpunimin do ta forcojmë në të ardhmen, në mënyrë që të përmbushim një e nga të reformat për anëtarësimin në BE”, tha ministri Bushati.

Ndërsa, ministri holandez, Stef Blok vlerësoi reformat e ndërmarra në Shqipëri në sistemin gjyqësor, klimën e investimeve, apo mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Gjithashtu theksoi se Shqipëria duhet të vijojë të ndjekë këtë rrugë zhvillimi, nën synimin për të prekur integrimin Europian. Në kuadrin e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian, të cilat priten të hapen në qershor 2019, Blok u shpreh se do të bëjë publik qëndrimin e tij në varësi të progresit që do të shënohet.

“Ne jemi të angazhuar për perspektivën europiane, ama në bazë të progresit të dukshëm dhe konkret. Është i njëjti mesazh që u kam dhënë vendeve aspiruese. Është më se logjike që unë të përdor të njëjtat kritere edhe për shtetet aktuale inspiruese për në BE. Jemi shumë të përkushtuar që ta ndihmojmë Shqipërinë që të bëjë progres. Duam që nga secili vend aspirues të arrijmë më tej”, u shpreh ministri holandez.

Ministri holandez nënvizoi edhe dekurajimin e migrimit dhe nënvizoi domosdoshmërinë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Është e rëndësishme të ruhet fokusi te konsolidimi i reformave shtesë për t’u ruajtur fokusin në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Duhen dekurajuar njerëzit për të emigruar në azil. Orvatjet e tyre do të jenë të pafrytshme. Po punojmë së bashku për të luftuar këtë dukuri”, vijoi më tej ministri holandez.