Në Veri të Kosovës, aty ku Serbia po mbjell kaos e tmerr mbi serbët – ERTV

Në Veri të Kosovës, aty ku Serbia po mbjell kaos e tmerr mbi serbët

Fillimisht i hodhën makinën në erë. Më pas i dogjën selinë e partisë. Sikur të mos mjaftonte kjo, dikush i hyri me dhunë në shtëpi dhe kërcënoi bashkëshorten e tij. Pastaj i hodhën sërish në erë makinën.

“Ata kanë bërë çdo gjë që munden deri me tani, me përjashtim të vrasjes time,” tha me humor në nëntor 2017 Oliver Ivanovic, një politikan serb në Veri të Kosovës në një intervistë televizive. Tre muaj më vonë, në mëngjesin e 16 janarit të 2018, Ivanoviç po ecte drejt selisë së partisë së tij në qytetin e Mitrovicës në veri të Kosovës, kur u vra me gjashtë të shtëna.

“Gjithmonë më thoshte se Kosova ishte jeta e tij dhe në fund dha vërtet jetën për të,” tregon bashkëshortja e tij, Milena Ivanoviç Popoviç, pak para përvjetorit të parë të vrasjes së tij.

Në kohën kur u vra, Ivanoviç gjendej në gjyq për krime kundër shqiptarëve të Kosovës gjatë konflikteve të viteve 1990, akuza që ai i mohonte me ngulm. Në shumë deklarata publike, Ivanoviç akuzonte elementët e krimit brenda komunitetit serb të Kosovës për kërcënimet e kryera në të shkuarën. Ai gjithashtu aludoi se ata kishin lidhje me partinë e mbështetur nga Beogradi në Kosovë, Listës Serbe dhe Ivanovic ka qenë një kritik i ashpër i saj.

Policia e ka akuzuar Milan Radoicin, zëvendëskryetarin e Listës Serbe si të dyshuarin e vrasjes së Ivanoviçit, i cili e cilësonte zyrtarin si të dërguarin e Serbisë në Veri të Kosovës, i ka shpëtuar arrestit dhe mbetet ende në arrati, edhe pse mohon akuzat.

Policia e Kosovës ndërkohë ka arrestuar dy oficerë serbë dhe një anëtar të klubit të tifozëve të futbollit të Partizanit të Beogradit në lidhje me vrasjen e Ivanoviçit, edhe personi që tërhoqi këmbëzën nuk është identifikuar ende.

Një vit pasi vrasja e Ivanoviçit tërhoqi vëmendjen e medias ndërkombëtare, mediat zbuluan se krimi është vetëm maja e ajsbergut kur vjen puna të rastet e pazgjidhura të dhunës politike brenda bashkësisë së serbëve të Kosovës.

Deri më tani raportohet për 74 sulme mbi serbët e Kosovës, përfshirë sulme me armë, granata, zjarr apo eksplozivë që nga viti 2014, kohë kur Lista Serbe mori pushtetin pas zgjedhjeve vendore. Viktimat përfshijnë politikanë, anëtarë të policisë apo forcave të sigurisë, gazetarë, sipërmarrës dhe zyrtarë të institucioneve të shtetit. Policia e Kosovës nuk i trajton asnjë nga këto raste si dhunë etnike, duke nënkuptuar se nuk mendojnë se shqiptarët e Kosovës janë përgjegjës për sulmet.

Përveç vrasjes së Ivanoviçit dhe një tjetër politikani të opozitës katër vjet më herët, asnjë nga incidentet nuk ka qenë vdekjeprurës , megjithëse banorët thonë se sulmet kanë rritur frikën mes qytetarëve të zakonshëm.

Shumica e incidenteve përfshijnë shkatërrimin e makinave apo pronave dhe ndodhin natën vonë, duke i shtyrë ekspertët e krimit të spekulojnë se autorët e tyre mund të jenë më shumë të interesuar të japin një mesazh se sa të plagosin apo vrasin. “Nuk jam i kënaqur,” thotë Shyqyri Syla, kryeprokuror i Mitrovicës. “Ka pasur sulme që nga viti 2014 dhe askush nuk është identifikuar. Kanë kaluar katër vjet dhe sa më shumë kohë kalon, aq më e vështirë bëhet gjetja e fajtorëve”, thotë ai.

Të pyetur mbi bombat në makina dhe incidentet e tjera para vitit 2014, Departamenti për Krime të Rënda në Zyrën e Prokurorisë së Mitrovicës tha se policia pati hapur vetëm pesë hetime mbi çështje të tilla mes dhjetorit të vitit 2000 dhe dhjetorit të vitit 2013. (Që të gjitha mbeten çështje të pazgjidhura.) Edhe pse ka prova se vetë udhëheqësit e Listës Serbe po sulmojnë me granata apo bomba, kritikët e akuzojnë këtë parti për krijimin e një klime frike dhe nxitjen e dhunës.

Ata gjithashtu thonë se Partia Progresiste Serbe (SNS) në Beograd është e lumtur me ndezjen e mosmarrëveshjeve në Veriun e Kosovës. “Unë nuk e di se si ta quash ndryshe këtë veçse një ‘krim i sponsorizuar nga shteti,” thotë Bojan Elek, një ekspert në Qendrën e Beogradit për Sigurinë.

Botë të ndara
Ura e Ibrit në qendër të Mitrovicës është një simbol jetëgjatë i armiqësive etnike të qytetit. Serbët jetojnë në veri, shqiptarët në jug. Lumi Ibër përbën një vijë ndarëse mes tyre. Ura 30 metra e gjatë ishte pika famëkeqe gjatë dhe pas luftës së Kosovës në vitet 1990. Sot, ajo vijon të mbetet e mbyllur për makinat, por për këmbësorët ofron një mundësi të fortë për të parë këto dy botë të ndryshme dhe të ndara.

Në anën jugore, shqiptarët shesin flamuj shqiptarë dhe amerikanë. ATM-të shërbejnë për të tërhequr euro. Një xhami gjendet mbi një shesh tregu të zhurmshëm.

Në anën veriore, dyqanxhinjtë që flasin serbisht bëjnë pazar në dinarë ndërsa në kishat ortodokse bien vazhdimisht kambanat. Tabelat janë shkruar në alfabet cirilik. Shumë biznese nuk pranojnë karta krediti dhe as nuk lëshojnë fatura, ndërsa disa prej makinave nuk kanë targa, shenja të një paqartësie ligjore në enklavën e drejtuar nga serbët.

Tre blloqe në verilindje të urës gjendet zyra e Iniciativës Civile për Liri, Demokraci dhe Drejtësi, (SDP) partia kryesore opozitare në Kosovën e Veriut. Këtu ishte vendi ku Oliver Ivanoviç po përpiqej të ringjallte karrierën e tij politike, duke garuar për postin e kryebashkiakut të Mitrovicës së Veriut, pak muaj para se të vritej.

Ai sapo kishte dalë nga burgu pas tre vitesh në pritje të gjykimit për akuzat se kishte urdhëruar vrasjet e civilëve shqiptarë në prill të vitit 1999, kur ai ishte një nga “rojet e urës” së Mitrovicës, një term përdorur nga nacionalistët serbë që përpiqeshin të mbanin shqiptarët jashtë gjysmës veriore të qytezës.

Një murale në gjysmën veriore të Mitrovicës paraqet ushtarët serbë që luftuan nën flamurin e Jugosllavisë gjatë konfliktit. ‘Ia vlen të vdesësh për këtë vend,’ shkruan teksti me alfabet cirilik.

Sulme të përsëritura

Ivanoviç kishte marrë kërcënime të shumta. Sulmues të panjohur i hodhën makinën në erë dy herë, në vitin 2005 dhe në vitin 2017. Disa muaj më vonë, një i paidentifikuar hyri në shtëpinë e tij ndërkohë që ai nuk gjendej aty dhe kërcënoi bashkëshorten e tij, Milenën.

“Një njeri me maskë hyri në apartament dhe filloi të thyejë çdo gjë prej xhami,” rikujton ajo. “Djali im [Bogdani], i cili ishte në atë kohë foshnjë, po flinte në dhomën ngjitur. Bogdani filloi të qajë dhe sulmuesi më goditi me shpullë në fytyrë e më tha: ‘Kjo është për burrin tënd,’ dhe pas kësaj iku.”

Policia nuk e kapi kurrë sulmuesin.

“Është si të jetosh nën një juntë, por në vend të ushtarakëve, ne jemi duke u sunduar nga një bandë kriminale,” tha Ivanoviç pak para se të vritej. “Strukturat kriminale qëndrojnë pas qeverisë vendore dhe janë burimet e vërteta të pushtetit në Mitrovicë.”

Në intervistën e tij të fundit para vdekjes, Ivanoviç identifikoi Radoiçiçin si figura kyçe në sistemin e pistë të pushtetit të kontrolluar nga serbët në Kosovën e veriut.

“Qendra e pushtetit nuk është ndërtesa e komunës, por Radoiçiçi” tha Ivanovic.

Pasi Lista Serbe emëroi Radoiçiçin si zëvendëspresident në verën e vitit 2018 duke surprizuar shumë komentatorë që nuk kishin dëgjuar kurrë për të, mediat raportuan se ai kishte lidhje të ngushta me elitat politike si në Kosovë ashtu edhe në Serbi, përfshirë presidentin e Serbisë Vuçiç dhe kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj.

Haradinaj u përball me kritika në korrik pasi e mikpriti në zyrën e tij për një takim, të cilin një nga deputetët e opozitës, Armend Zemaj, e përshkroi si një “pritje solemne” për një të dyshuar për zhvatje, dhunë dhe kërcënime të shtetasve në Mitrovicën e Veriut.”

Rada Trajkovic, një eksperte që drejton një organizatë joqeveritare të quajtur “Lëvizja Europiane për Serbët nga Kosova” rrëfen se Haradinaj i thotë vazhdimisht se Radoiçiçi është njeriu që jep garanci për Veriun. “Haradinaj thotë se Radoiçiçi ka mbështetjen e shtetit serb për të gjitha krimet, pasi ato janë në dakortësi me Vuçiçin dhe politikat e tij.”

Në nëntor, policia e Kosovës bastisi shtëpinë e tij por ai i shpëtoi arrestit. Në atë kohë ai gjendej në Serbi, vend që nuk ka marrëveshje ekstradimi me Kosovën. Pas lajmit se Radoçic ishte i kërkuar nga policia e Kosovës, zyrtarë të lartë serbë i dolën në mbrojte. Marko Djuriç, drejtor për zyrën e qeverisë së Serbisë për Kosovën, e quajti atë “një patriot të madh”.

Presidenti Vuçiç tha se ai nuk është vrasësi i Oliverit por se ai u vra nga njësitë speciale të policisë së Kosovës në mënyrë që t’ia hidhnin Beogradit fajin Beogradit. Anëtarët e Listës Serbe u shfaqën gjithashtu në publik të veshur me bluza të bardha që tregonin hartën e Kosovës me ngjyrat e flamurit të Serbisë dhe me një foto të Radoiçiç.

Në nëntor, policia e Kosovës arrestoi tre serbë të tjerë të dyshuar për vrasjen e Ivanoviçit Dragisa Markovic dhe Nedeljko Spasojevic, që të dy anëtarë të forcave policore të Kosovës dhe Marko Rosic, një malazez i identifikuar si tifoz i skuadrës së futbollit të Partizanit të Beogradit.

Zyra e Prokurorisë Speciale të Kosovës thotë si se të arrestuarit, ashtu edhe personat e shpallur në kërkim, dyshohen se kanë ndihmuar autorët e vrasjes duke ofruar mjete apo duke fshehur prova.

Përveç Ivanovic, edhe gjashtë politikanë të tjerë të opozitës së serbëve të Kosovës janë sulmuar nga sulmues të paidentifikuar përgjatë katër viteve të fundit. Dimitrije Janicijeviç, u vra me armë jashtë shtëpisë së tij në Mitrovicë në janar të vitit 2014. Janicijeviç dhe Ivanoviç ishin miq. Sipas bashkëshortes së Ivanovicit, ky i fundit ishte kumbari i katër fëmijëve të Jancijeviçit. Edhe ai po garonte për kryebashkiak në kohën kur u vra. Sipas mjekut që ekzaminoi trupin, ai kishte më shumë se dhjetë plumba në kraharor dhe bark. Askush nuk është arrestuar për këtë vrasje.

Në një incident tjetër tre vjet më vonë, zyra e Slavisa Ristic, ish-kryetarit të komunës së Zubin Potokut, u përfshi nga flakët. “Ne praktikisht sapo kishim hyrë në atë zyrë,” tha Ristic rreth një muaj më vonë. Policia nuk bëri asgjë.”

Një banor i zonës rikujton se qytetarët përdorën çarçafë të lidhur për të shpëtuar. Katër fëmijë përfunduan në spital për shkak të tymit. Është e paqartë se kush e nisi zjarrin, por Ristic tha se ishte i sigurt se bëhej fjalë për zjarr të qëllimshëm. Kjo nuk ishte as hera e parë që prona e tij u shënjestrohej.

Gjatë mbrëmjes së 24 prillit 2016, ndërkohë që SNS po festonte fitoren në zgjedhjet parlamentare në Serbi, shtëpia e tij në Zubin Potok u sulmua me armë.

“E gjithë familja ime ishte në shtëpi, edhe vëllai im, ne po ndiqnim rezultatet e zgjedhjeve me mosbesim kur dëgjuam të shtëna para shtëpisë,” tha ai. “Të gjithë u shtrimë në dysheme, mora fëmijët dhe gruan dhe pastaj pak minuta më vonë çdo gjë u qetësua. Vëllai im dhe unë dolën në errësirë për të parë çfarë po ndodhte.”

Ata panë dritare të thyera ndërsa muri i jashtëm i shtëpisë ishte i goditur nga plumbat. Ditën tjetër, bashkëshortja e tij gjeti një bombë të pashpërthyer në bar. Ristic, nuk ka dyshim se sulmuesit ishin serbë të Kosovës dhe jo shqiptarë.

“Unë besoj se këto sulme janë të lidhura me Listën e Serbe, pasi po ndodhin vetëm ndaj njerëzve që nuk i binden vijës së partisë,” tha ai. Në korrik të vitit 2017, dikush hodhi në erë makinën që i përkiste Dragisa Milovicit, një mjek që garonte për kryebashkiak në Zvecanit. Milovic hyri në një aleancë informale me Ivanoviçin kundër Listës Serbe.
“Atë mëngjes isha i tronditur,” rrëfen ai. “Ishte e qartë për mua se ky kërcënim ishte një mesazh politik.” I pyetur se cili ishte ky mesazh, Milovic se Lista Serbe i kishte kërkuar të tërhiqej nga zgjedhjet.

Dragan Jablanovic, një ish-anëtar i Listës Serbe i cili u bë një politikan i pavarur, ishte kryebashkiak i Leposavicit kur shtëpia e tij u sulmua me armë në tetor të vitit 2015. Në maj të vitit 2017, dikush hapi zjarr me armë ndaj ndërtesës ku mblidhej kabineti i tij.

Ndërkohë, në dhjetor të vitit 2016, një sulmues i paidentifikuar hodhi një bombë në shtëpinë e Drazen Stojkovic, president i bordit bashkiak të Partisë Popullore Serbe në Mitrovicë, rreth orës 9 të mbrëmjes.

Nebojsa Vlajic, mik dhe avokat i Ivanoviç, foli haptazi mbi sulmin, duke thënë se sulmet me bombë në Kosovën e Veriut ishin kaq të zakonshme sa njerëzit janë mësuar me to, aq sa harrojnë se janë “akte terrorizmi”.

‘Model frikësimi’
Të gjithë politikanët e intervistuar besonin se ishin sulmuar për shkak të kundërshtimit të Listës Serbe dhe për rrjedhojë, SNS-së së Beogradit.

Lista Serbe garoi fillimisht në zgjedhjet vendore në Kosovë që vijuan nga fundi i vitit 2013 deri në fillim të vitit 2014, rreth dy vjet pasi SNS-a mori nën kontroll pushtetin në Serbi.Kjo parti është aktualisht pjesë e një koalicioni qeverisës në Prishtinë. Duke pasur nëntë nga dhjetë vendet e rezervuara për serbët e Kosovës në një parlament me 120 deputetë, Lista Serbe ka edhe tre ministra në qeveri.

Si Lista Serbe ashtu edhe SNS-ja shprehen të angazhuara për premtimet e bëra në marrëveshjen e vitit 2013 të nënshkruar nga Serbia dhe Kosova në Bruksel për të integruar institucionet paralele të shtetit në Kosovë dhe për t’u përpjekur në heqjen e pengesave për normalizimin e marrëdhënieve.

Por asnjëra nga këto dy parti nuk e njeh pavarësinë e Kosovës të shpallur në vitin 2008 dhe shumica e retorikës së tyre publike bie në kundërshtim me politikën zyrtare të procesit politik të mbështetur nga BE-ja. Në faqen e vet të internetit, Lista Serbe e prezanton veten si partia e vetme e serbëve të Kosovës që mbështetet nga qeveria e Serbisë. Dhe natyrisht, SNS-ja i dha kësaj partie mbështetje ekskluzive para zgjedhjeve vendore të vitit 2017.

“Fitorja e Listës Serbe është me rëndësi kombëtare dhe thelbësore për serbët në Kosovë,” deklaroi Darko Glusic, kreu i bordit ekzekutiv të SNS-së, në një takim me kandidatët e Listës Serbe për këshillet vendore ndërkohë që udhëtonte në Zvecan në tetor të atij viti.

Duke i bërë thirrje serbëve të dilnin për të votuar për këtë parto, Aleksandar Vulin, ministri i mbrojtjes së Serbisë dhe ish-kreu i zyrës së Kosovës, tha se: “Ata e dinë mirë se Lista Serbe ka lidhje me qeverinë e Serbisë.”

Disa ditë para se të hapeshin kutitë e votimit, televizionet në Serbi në Veriun e Kosovës transmetuan një reklamë politike duke treguar fytyrën e Ivanoviç të mbivendosur në një flamur të Shqipërisë. Pesë organizata të lirisë së medias në Serbi publikuan një deklaratë të përbashkët ku dënonin ashpër reklamën, duke e quajtur atë “një dhunim të egër të standardeve gazetareske, por edhe dhunim të ligjit elektoral”.

Në fund, Lista Serbe fitoi në të dhjeta komunat me shumicë serbe. Në Mitrovicë, kandidati i tyre për kryebashkiak, Goran Rakic, mori rreth 67 për qind të votave, në krahasim me Ivanoviç që mori vetëm 19 për qind.

‘T’i thyejmë kockat’
Krahas politikanëve, shënjestër të sulmeve kanë qënë edhe biznesmenët e serbëve të Kosovës, zyrtarëve apo individëve që kanë refuzuar të bojkotojnë institucionet e Kosovës.
Pjesa e jashtme e kafenesë Dolce Vita në Mitrovicë u dogj në gusht 2016 pasi Ministra e Kosovës për Dialog, Edita Tahiri piu një kafe atje. Katër muaj më vonë, hoteli Sasa në qytet u bë pre një sulmi me bombë pasi Tahiri qendroi për një natë atje.

“Kod Drazevica”, një restorant serbësh në liqenin e Ujmanit u sulmua me zjarr pasi presidenti i Kosovës Thaçi shkoi atje në shtator të vitit 2018. Edhe oficerët serbë të policisë së Kosovës janë vënë po ashtu në shënjestër. Përgjatë katër viteve të fundit, 11 prej tyre u janë djegur makinat ndërsa tre janë sulmuar me bomba në shtëpi.

280 serbë u bashkuan me policinë e Kosovës, sipas Besim Hotit, zëvendëskomandant i Policisë në Mitrovicën veriore. Sipas tij, më pas ata kanë rënë pre e sulmeve me bomba.Në disa raste, ata janë shënjestruar sepse po bënin punën e tyre siç duhet,” tha ai, duke cituar shembullin e dy oficerëve që iu dogjën makinat pasi hetuan një rast trafiku droge nga gangsterët serbë. “Në disa raste nuk është në interesin e njerëzve të caktuar që një çështje të hetohet,” tha ai. Nga 137 serbë të Kosovës që i janë bashkuar Forcës së Sigurisë së Kosovës deri në fund të vitit 2018, gjysma e tyre kanë kërkuar të tërhiqen, sipas zëvendësministrit Agim Çeku.

“Ata ishin nën presion nga Serbia,” thotë Çeku . “Ata morën mesazhe anonime, familjet e tyre u kërcënuan dhe ata ngacmoheshin kur kalonin kufirin për në Serbi.”

Në janar 2018, komiteti komunal i Listës Serbe në Zubin Potok publikoi një deklaratë ku i shpalleshin rekrutët armiq. “Të gjithë ata që përpiqen të gjejnë të ardhme në institucionin e ‘Ushtrisë së Kosovës”’do të përballen me bojkot të ashpër nga bashkësia serbe,” shkruante deklarata.

Një muaj më vonë, disa fletushka u shfaqën në të gjithë Zubin Potokut të vendosura nëpër xhamat e makinave apo të ngjitura nëpër hyrjet e ndërtesave publike. Ato rendisnin emrat e shtatë serbëve të Kosovës të akuzuar se i ishin bashkuar Ushtrisë së Kosovës, i quanin ata “tradhtarë” dhe i kërcënonin se nuk do të lejoheshin të punonin në Zubin Potok.

“Do t’ua thyejmë kockat,” shkruhej nëpër fletushka. Zyra e Kosovës në Beograd i vuri kapakun armiqësisë në prill 2018 kur drejtori Djuric tha në televizion kombëtar se çdo serb që bashkohet me ushtrinë e Kosovës do të dënohet me deri 10 vjet burg për bashkimin me një ushtri të huaj ilegale.

Frikë nga hakmarrja

Prokurorët konfirmuan se deri tani, askush nuk është dërguar në gjyq për asnjë nga 74 sulmet ndaj zyrtarëve dhe biznesmenëve serbë.

“Për ne krimet më të vështira për t’u zgjidhur janë shpërthimet e makinave,” tha Hoti,. “Nuk ka gjurmë dhe shtetasit nuk raportojnë në polici çfarë dinë dhe se nga çfarë kanë frikë.”

Hoti tha se ai mendonte se numri i njerëzve përgjegjës për këto sulmit është relativisht i vogël. Shumë nga viktimat nuk flasin nga frika e hakmarrjes. Janë të frikësuar se dikush mund të zbulojë se kanë dëshmuar”, thotë ai.

Duke refuzuar të identifikohet, një biznesmen prona e të cilit u sulmua dy herë më bomba tha se: “Unë nuk i besoj më askujt. Unë nuk mundem dhe nuk do të flas më për këtë. Unë jetoj këtu. Unë kam një familje.

Një natë në qershor të vitit 2015, dikush hapi zjarr me armë shtatë herë në drejtim të dritareve të zyrës së një faqeje interneti të pavarur në Mitrovicë. Askush nuk ishte në zyrë në kohën e sulmit.

“Ne jetojmë në një vend të rrezikshëm dhe ajo që më frikëson më shumë është që sulmuesit nuk gjenden kurrë,” thotë Tanja Lazarevic, kryeredaktorja e kësaj faqeje. Pesë muaj më vonë, një natë nëntori rreth orës 2, sulmuesit dogjën një makinë që i përkiste gazetares së kësaj faqeje, Nevenka Medic.

Qendra e Beogradit për Sigurinë e përshkruan Veriun e Kosovës si një zonë pa ligj që kontrollohen nga struktura të stilit mafioz.

“Në njërën anë, duket se Prishtina nuk ka vullnetin apo mënyrën për të kontrolluar Veriun veçse përmes institucioneve,” thotë qendra” Nga ana tjetër, Beogradi ka interes për t’i mbajtur gjërat siç janë.”

Analistët thonë se kaosi në Veri mund të fuqizojë dorën e Serbisë në bisedimet mes Beogradit dhe Prishtinës dhe të ndihmojë Serbinë të kontrollojë enklavat e dominuara nga serbët edhe nëse Beogradi detyrohet para presionit ndërkombëtar të njohë pavarësinë e Kosovës.

Disa politikanë në Serbi dhe Kosovë kanë ngritur jozyrtarisht mundësinë e shkëmbimit të territoreve, duke shkëmbyer zonat me shumicë shqiptare në Serbinë e jugut me ato me shumicë serbe në Kosovën e Veriut.

“Mendoj se Beogradi është i vetëdijshëm se duhet të njohë Kosovën,” thotë një eksperte e kësaj qendre. “Por është duke kërkuar të marrë diçka nga procesi i negocimit në mënyrë që kjo njohje të pranohet më lehtë nga shtetasit e Serbisë”.

Në Beograd, një vit pas vrasjes së bashkëshortit të saj, Milena Ivanoviç është ende duke pritur gjetjen e fajtorit.

“Nuk mundem të humbas shpresën,” thotë ajo. “Oliveri e meriton, të gjithë ne e meritojmë të dimë se kush fshihet pas kësaj vrasjeje, kush e urdhëroi atë. Mendoj se për çdo njeri të ndershëm në Serbi kjo është e rëndësishme”, përfundon ajo. Andjela Milivojeviç /Bursa Ballkanike për Gazetari Ekselente /