Na dha fitoren ndaj Serbisë, avokati tregon çelësin e suksesit – ERTV

Na dha fitoren ndaj Serbisë, avokati tregon çelësin e suksesit

Të gjithë e mbajmë mend shumë mirë pjesëmarrjen historike të Shqipërisë në fazën finale të kampionatit Europian “Francë Euro 2016”. Skuadra e mirë, fati, trajneri Xhani De Biazi, por edhe vendimi në favor i Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv, KAS, ishin faktorët që e çuan kombëtaren kuqezi për herë të parë në një event të tillë.

Ish-trajneri De Biazi dhe të gjithë lojtarët që ishin protagonistë të atij suksesi në vitin 2016 e kanë marrë vëmendjen e merituar. Por është edhe dikush tjetër që mbase kontribuoi për atë sukses, po aq sa futbollistët e kombëtares, por që nuk është aq shumë i njohur në opinionin e gjerë. Po flasim për Antonio Rigocin, avokat që mbrojti Shqipërinë në KAS në çështjen kundër federatës serbe të futbollit.

Pas ngjarjeve që ndodhën në stadiumin e Beogradit në ndeshjen e vlefshme për kampionatin europian “Francë 2016”, fillimisht kombëtares së Shqipërisë iu dha humbja në tavolinë me rezultatin 0-3. Por avokati Rigoci, që mori përsipër çështjen e Shqipërisë në shkallën më të lartë të gjyqësorit të futbollit europian, KAS, ia doli që ta kthente këtë vendim në pozitiv për ekipin tonë. Edhe pse kanë kaluar më shumë se tre vite nga marrja e atij vendimi historik, suksesi është shumë i madh dhe avokati Rigoci vijon të jetë një personalitet shumë i respektuar.

Gjatë një workshop-i të organizuar për të drejtën sportive dhe arbitrazhin në Tiranë nga FSHF, i pranishëm për të treguar eksperiencën e tij ishte edhe avokati Antonio Rigoci. Në një prononcim ekskluziv për Gazeta Si, Rigoci i është rikthyer edhe një herë asaj periudhe, duke treguar se cili ishte çelësi i suksesit të Shqipërisë përballë Serbisë. Sipas tij gjëja kryesore që bëri diferencën në triumfin e Shqipërisë, ishte mënjanimi nga çështjet politike dhe fokusimi vetëm tek plani sportiv i ngjarjes.

“Si në çdo rast gjyqësor, duhen marrë parasysh faktet primare dhe të lihen jashtë të gjitha aspektet politike. Kur u morën parasysh faktet dhe rregullat, zgjidhja e çështjes ishte shumë e lehtë për t’u gjetur.”- shprehet Rigoci për Gazeta Si.

Më tej në rrëfimin e tij të shkurtër, Antonio Rigoci tregon se çfarë e bindi atë që në fillim se Shqipëria do dilte e fituar nga kjo çështje. “Ajo që më bindi ishte e thjeshtë. Unë e pashë ndeshjen dhe ngjarjen në televizor dhe isha i bindur. Nga ajo që unë pashë në televizor paraprakisht e krijova idenë e asaj që kishte ndodhur dhe që mund të kishim sukses.”

Sipas Rigocit jo vetëm ajo që ishte shfaqur në televizor, por edhe të gjitha dokumentacionet ishin në favor të Shqipërisë. “Më pas kur e mora përsipër çështjen, pashë dokumentet dhe të gjitha provat dhe e gjitha mbrojtja e Shqipërisë u ngrit hap pas hapi. Në të tilla raste, nuk është se ndodh që dikush të merr në telefon dhe të thotë, po po mund të fitojmë mos u shqetëso. Si në rastin e Shqipërisë që ne kishim bindjen paraprake, edhe në çështjet e tjera ne pasi marrim në dorë të gjithë dokumentet dhe provat, përpiqemi të bëjmë më të mirën tonë.”

Ky sukses në KAS do të mbahet mend gjatë nga shqiptarët, pasi nuk dihet se kur mund të jetë sërish radha që një ekip modest si i joni të marrë pjesë në finalet e një kampionati europian. Por për një profesionist si Rigoci, ajo ishte vetëm një nga arritjet e tij dhe tashmë ai ka përballë të tjera sfida të rëndësishme. Në fakt, këtë herë sfida që Rigoci ka përballë është goxha e rëndësishme, pasi do të mbrojë në KAS një klub historik si Milani. Skuadra italiane e ka çuar në KAS dënimin e UEFA-s për shkeljeve të rregullave të Fair Play Financiar dhe përfaqësues është pikërisht Antonio Rigoci. Por kur pyetet për këtë çështje, Rigoci u tregua shumë i rezervuar, duke ruajtur në maksimum kofidencialitetin e çështjes. “Nuk mund të thuhet asgjë për Milanin. Është një çështje shumë ndryshe dhe në vazhdim, kështu që nuk mund të flitet. Sigurisht që ka gjera për të cilat mund të flitet, por parimi im është që për çështje të hapura nuk mund të shprehem paraprakisht.”

Në workshop-in e organizuar nga FSHF-ja, ku mori pjesë avokati Rigoci, ishin të ftuar edhe të tjerë personalitete të rëndësishme të jurisprudencës sportive në vend dhe Europë. Aktiviteti ishte një risi për vendin tonë dhe synon aftësimin sa më shumë të profesionistëve nga Shqipëria në çështje si e drejta sportive apo edhe arbitrazhi.