Xhelal Mziu gati të lëshojë zyrën, edhe pse… – ERTV

Xhelal Mziu gati të lëshojë zyrën, edhe pse…

Xhelal Mziu duket se është gati të lirojë zyrën, edhe pse ka deklaruar i prerë se nuk do të lirojë zyrën e tij në Bashkinë e Kamzës.

Edhe pse gjykata njohu socialistin Rakip Suli si kryebashkiakun e ri të Kamzës, Mziu vijon të firmosë vendime e projekte deri ditën kur thotë se në respekt të dekretit të Presidentit do të mbahen zgjedhje legjitime.

“Ne presim datën 13 Tetor dhe s’e shoh ligjore. Do drejtoj qytetin deri në zgjedhje të lira e të ndershme.Kjo dosje do shkojë në Gjykatën e Apelit, do e çoj edhe në Gjykatën Kushtetuese, do bëj kallëzim ndaj kancelares dhe gjykatëses se shkelën ligjin. Do ta kallëzoj edhe në KLGJ se zgjodhën sistemin elektronik”, deklaroi ai për Tv Klan.

Mziu premton se nuk do t’i çojë qytetarët në përplasje dhe thekson se nuk do të ketë gjakderdhje.

“Nuk më intereson një mbajtje e karriges edhe pse është ligjore. Ju kam sugjeruar mbështetësve që mos e kthejmë në një betejë. Nuk do lejoj gjakderdhje, por s’do lë instrument ligjor pa përdorur ndaj këtij sistemi të kalbur që ka një emër, Ramën e Rilindjen”, ka deklaruar ai.

Deri më tani janë konstituuar disa bashki në vend. Tensione deri më tani ka pasur në Kavajë, ku nuk munguan protestat. Por gjithsesi Redjan Krali ka nisur punën e tij në bashkinë e Kavajës. Kryebashkiakët e tjerë në vend që deklarojnë se nuk do të lirojnë zyrën janë Voltana Ademi dhe Miranda Rira.