Policia në aksion, i heq patentën Shkëlzen Berishës dhe Ermal Mamaqit – ERTV

Policia në aksion, i heq patentën Shkëlzen Berishës dhe Ermal Mamaqit

Ndoshta 7 vite më parë kjo nuk do t’i ndodhte djalit të ish-kryeministrit, Sali Berisha, por një ditë më parë policia rrugore i ka hequr patentën Shkëlzen Berishës.

Mbrëmjen e kaluar rreth orës 23:00 Policia Rrugore gjatë një kontrolli tek rrethrrotullimi i TEG, pranë autostradës Tiranë-Elbasan, bëjnë me dije burime për Dosja.al, ka ndalur për tejkalim shpejtësie, Shkëlzen Berishën dhe Ermalin Mamaqin.

Këta të fundit udhëtonin me makina të ndryshme. Vendimi për bllokimin e patentës është marrë nga Ledian Kërka, shefi i linjave në Policinë Rrugore.

Mësohet se fillimisht është ndaluar moderatori Ermal Mamaqi, me makinën e tij “Renault” me një shpejtësi prej 120 km/orë. Ai nuk ka bërë rezistencë gjatë ndalimit nga policia dhe se ka pranuar dorëzimin e patentës.

Ndërkohë, pas afro 10 minutash, në të njëjtën rrugë ka ardhur me shpejtësi Shkëlzen Berisha, i cili besohet se po ecte me 128 km/orë, me mjetin tip “Benz S320”.

Sipas raportimeve gjatë momentit të ndalimit Berisha kundërshtuar fillimisht Policinë, por më pas ka dorëzuar patentën.

Të dy, Shkëlzen Berisha dhe Ermal Mamaqi do të paraqiten në komision ku pritet të merret vendimi për heqjen e patentës nga 1 deri në 3 muaj, si dhe gjobë administrative.